
Presidenti amerikan Donald Trump mbërrin sot në Britaninë e Madhe për një vizitë shtetërore 3-ditore.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të takohet me pjesëtarë të familjes mbretërore dhe pritet të diskutojë për ndryshimet klimatike dhe kompaninë kineze të teknologjisë Huawei me kryeministren në largim Theresa May.
Protesta kundër vizitës janë planifikuar në të gjithë vendin, përfshirë Londrën, Mançesterin, Belfastin dhe Birmingemin. Edhe pse Trump ka shprehur vlerësimet për May-n, pritet të ketë dallime të shumta në bisedimet që nisin të martën. Një zëdhënës i qeverisë tha të hënën se Londra ishte e zhgënjyer nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga Marrëveshja Klimatike e Parisit në vitin 2017. Para vizitës, numri një i Uashingtonit tha për tabloidin “The Sun” se mbështeste pretendentin për lidershipin e Partisë Konservatore, Boris Johnson, si kryeministrin e ri të Mbretërisë së Bashkuar.
Në ditën e parë të qëndrimit, Trump do të vizitojë Kishën e Westminsterit dhe do të takohet me Princin Charles dhe Dukeshën e Kornuellit. Gjatë mbrëmjes, Mbretëresha Elizabeta do të shtrojë një banket për Presidentin dhe Zonjën e Parë Melania, në Pallatin Bakingam. (A2 Televizion)