
Paraditja e të hënës u shoqërua me zëra për një takim negociues mes kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe atij demokrat, Enkelejd Alibeaj. Dy protagonistët preferojnë të heshtin.
Disa deputetë demokratë të kontaktuar nga A2 CNN konfirmuan takimin, duke shpjeguar se në tryezë ishin kërkesa e opozitës për ndryshimin e hartës territoriale duke shtuar numrin e bashkive, si dhe interesi i mazhorancës për të gjetur votat që do të mundësonin një paketë ndryshimesh në ligjet e reformës në drejtësi. Nga ana tjetër, Alibeaj përmes të mandatuarit Gazment Bardhi, po negocion edhe me partinë e tij, ku duket se shihet me skepticizëm një lojë me dy porta e grupimit tjetër.
“Ne do t’i rrime strikt atyre që në jemi konsultuar për ndarjen e reformës territoriale, uroj që të gjithë kolegët të jenë strikt, kjo tregon bashkim të demokratëve, nuk dua në asnjë moment të mendoj ose të besoj se të gjithë bisedimi me ne janë një lojë false dhe bisedime korrekt me Taulant Ballën, kjo do ishte dhimbje e madhe për ne dhe për çdo demokrat”, tha Noka.
Noka thekson se PD e drejtuar nga Sali Berisha nuk ka vendosur asnjë kusht sa i takon bisedimeve me grupimin Alibeaj, teksa tregon dakordësinë që kanë arritur me aleatët për zgjedhjet vendore sa i përket tre bashkive kryesore.
Përgatitja për primaret nga të cilat do të dalin kandidatët e opozitës për kryetarë bashkie, ka nisur tashmë në bazë. Për mikrofonin e A2 CNN kryetarja e degës numër 2 në Tiranë, Irma Marku tregon procedurat që do të ndiqen për përfshirjen e qytetarëve në këtë proces, por edhe qasjen e anëtarëve të PD.
“Në fillim pati një lloj frike se cilat do të ishin filtrat për simpatizantët nga anëtarët e PD, por më pas u qartësua çdo gjë në takime, do të përdorët ekseli i të dhënave e gjithë atyre qytetarët që ndër vite kanë votuar të djathtën, por s’kanë pas angazhim partiak, si dhe takimet me qytetarët në terren, çdo ditë do të ketë raportime në degë”, tha Marku.
Marku shton se regjistri i të dhënave të simpatizantëve do të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në PD dhe më pas, të gjithë simpatizantët do të pajisen me kartën e tyre për të marrë pjesë në primaret e PD. (A2 Televizion)