
Kryeministri francez, Edouard Philippe dha dorëheqjen të premten, duke i hapur udhën riformatimit të qeverisë, me synimin për të rigjallëruar presidencën e Emmanuel Macron, 2 vite para zgjedhjeve presidenciale.
Edhe pse Philippe konsiderohet më popullor se vetë kreu i Elysee, duket se performanca e dobët e partisë në pushtet La Republique En Marche pas zgjedhjeve lokale të së dielës, ishte një kafshatë e rëndë për t’u gëlltitur.
“Edouard Philippe paraqiti dorëheqjen tek presidenti, i cili e pranoi atë”, tha pallati presidencial në një njoftim të shkurtër. Siç thuhet, kreu në largim i ekzekutivit, bashkë më pjesëtarët e tjerë të kabinetit, do të sigurojnë vijimësinë e operacioneve aktuale deri në emërimin e një qeverie të re.
Macron po nxiton t’i japë një hov të ri Presidencës së tij në prag të zgjedhjeve të 2022-shit. 3 vitet e tij të para në detyrë janë shënuar nga reforma kontroverse ekonomike, protestat antiqeveritare të “Jelekëve të verdhë” dhe pandemia e koronavirusit që vrau gati 30 mijë vetë në Francë, duke e zhytur vendin në recesion të thellë.
Në teori, Philippe mund të rizgjidhet kryeministër në krye të kabinetit të riformatuar, por dorëheqja e të gjithë qeverisë sugjeron se Macron ka në mendje diçka më ambicioze se sa thjesht emërimi i ministrave të rinj. (A2 Televizion)