
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar i kërkon gjykatës të konfiskojë gjithë pasuritë e sekuestruara për llogari të çështjes “Toyota Yaris”. Hetimi pasuror për të dyshuarit si të përfshirë në sjelljen nga Belgjika në Shqipëri të 3,4 milionë eurove “cash” ka vijuar pavarësisht fatit që patën në hetimin penal të dyshuarit Alfred e Elvis Valdi, Klevi Cani, Edi Lika e Alban Mollaymerit.
Në kërkesën e depozituar në Gjykatën e Posaçme, SPAK kërkon të kalojnë në llogari të shtetit 3,4 milionë eurot dhe 80 mijë frangat zviceriane të gjetura në dy automjetet “Toyota” në Portin e Durrësit. Konfiskim kërkohet edhe për një godinë banimi 2-katëshe dhe një sipërfaqe trualli prej 404 m2 në Tiranë, si edhe dy sipërfaqe toke, gati 1 000 m2 në Gjirin e Lalëzit.
Dosja penale që trazoi skenën politike në vend në qershor 2018 u hetua fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda, por më pas, për shkak se nuk kishte prova për “grup kriminal” dhe “pastrim parash”, dosja i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Tiranës. Një muaj më parë, në nëntor 2020, gjykata pushoi akuzat e ngritura për 4 nga 6 të dyshuarit. I pandehur në lidhje me milionat e eurove përfundoi Elvis Vladi, i cili do të gjykohet për “mosdeklarim të të hollave në kufi”.
Hetimi provoi se paratë ishin marrë nga Vladi tek një shtetas gjerman për ndërtimin e një biznesi në Shqipëri. Në gjyq do të shkojë edhe Agim Çeka, por për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. (A2 Televizion)