Vrasja e Klodian Rashës, SHÇBA merr në pyetje efektivët e tjerë që gjetën pistoletën

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2020, 16:44 | Kronikë
Vrasja e Klodian Rashës, SHÇBA merr në pyetje efektivët e

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka marrë në pyetje edhe efektivë të tjerë të repartit “Shqiponja”. Burime pranë SHÇBA thanë se oficerët e policisë janë marrë në pyetje lidhur me procedurat e asaj që njihet si instruktazhi që ata duhet të bëjnë në Drejtorinë e Policisë, që në thelb është se si duhet të sillen gjatë patrullimit.

Krahas kësaj, prokuroria ka në dorë dhe dëshminë e specialistit të sektorit të forcës së posaçme “Shqiponja”, i cili ka dhënë detaje lidhur me këtë procedurë. Hetuesit kanë marrë dëshminë nga specialisti në Drejtorinë e Policisë së Tiranës me inicialet A.J., i cili ka thënë se çdo gjë është pasqyruar në librin e shërbimit. Nga të dhënat e marra nga SHÇBA, por edhe prokuroria, ky specialist, gjatë orës 01:09 minuta ka qenë në afërsi të Presidencës, kur ka marrë njoftim nga shërbimi në rrugën “Dritan Hoxha” se kërkonte ndihmë, pasi ishin vënë në ndjekje të Klodian Rashës.

Hetuesit kanë marrë të dhëna të tjera në librin e shërbimit se si ka qenë përgjigjja e shërbimeve të tjera dhe pse ky shërbim ka qenë i vetëm në zonë, ndërsa ai më i afërti te Presidenca.

Krahas kësaj, specialisti në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka thënë se në sektorin që ai drejton është në gjendje vetëm një kamera trupi, ndërsa prokuroria ka kërkuar nëse mungesa e kamerave është pasqyruar në urdhrat e shërbimit. Të vetmen kamera e kanë pasur efektivë të komisariatit nr. 5.

Të gjitha lëvizjet e punonjësve të policisë nuk kanë qenë të monitoruara nga kamerat, ndërsa e vetmja video e cila mund t’i jepte përgjigje dyshimeve nëse efektivi Hasanaj është përleshur me 25-vjeçarin, është dërguar në laboratorin shkencor. Kjo pasi, sipas hetuesve, ajo është një kamera e vjetër, ndërsa policia është detyruar të sekuestrojë në Vorë serverin me shpresën se mund të përftojnë diçka prej tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos