Dy trupa të copëtuar dhe të futur në valixhe, që u gjetën në Firence, Itali, dyshohet se janë të një çifti shqiptar, të zhdukur në vitin 2015. Sipas mediave italiane, do të jetë testi i ADN-së që do të konfirmojë dyshimet e autoriteteve.
Personat e zhdukur, raportojnë mediat italiane, janë Shpëtim dhe Teuta Pasho, 54 dhe 52 vjeç, të mbërritur në Itali për të takuar fëmijët. Njëri prej tyre, në atë kohë ishte i burgosur në burgun e Sollicciano-s, pikërisht pranë zonës ku u gjetën edhe valixhet. Edhe motivi i vrasjes dyshohet se është pikërisht “mesazhi” ndaj të birit.
Tatuazhi që çoi drejt zgjidhjes së misterit, është ai një spirance, shoqëruar me emrin e qytetit të Vlorës, e gjithashtu shkronjat SHP, që mund të jenë inicialet e Shpëtim Pashos.
Ajo që deri më tani është e sigurt, sipas ekspertëve, është se vdekja e viktimave ka qenë e dhunshme. Autorët u kanë marrë jetën me shkelma, grushte dhe i kanë mbytur. Më pas trupat e tyre janë copëtuar, janë futur në valixhe e janë hedhur pranë burgut të Sollicciano. Kjo ka shtyrë hetuesit të mendojnë se vrasja mund të ketë lidhje me të birin e burgosur pikërisht aty, për zotërim marjuane. (A2 Televizion)