
Nga 1 nëntori do të nisë aplikimi i dozës së tretë të vaksinës edhe në Shqipëri për moshën mbi 60 vjeç dhe personat e rriskuar. Për këtë u diskutua këtë të mërkurë në Debat në A2 CNN me Alba Alishanin.
Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, u shpreh se ka pasur një interesim të madh për dozën e tretë nga qytetarët.
Ndërkohë, epidemiologu Ilir Alimehmeti theksoi se nga doza e tretë pritet të ketë një efektivitet të rritur.
“Doza e tretë pritet të ketë një efektivitet të rritur edhe ndaj infektimeve. Edhe me dy doza ndaj shtrimeve në spital dhe humbjeve të jetës efektiviteti ishte shumë i lartë. Ajo që na shqetëson më shumë nga vaksinat ishte që me variantin Delta ra efektiviteti i infektimit, por fatmirësisht u mbajt efektiviteti i formave të rënda dhe humbjes së jetës.
Izraeli, shenjat e para i ka pozitive. Nga SHBA, të dhënat janë mikse pasi vaksina është në faza të ndryshme. Megjithatë, nuk ka kaluar mjaftueshëm kohë nga doza e tretë në këto shtete. Një informacion i duhur mund të vijë nga Turqia”, u shpreh epidemiologu. (A2 Televizion)