
Albin Kurti ka pasur një kërkesë për kryeministrin Edi Rama. Në një konferencë për mediat, Kurti tha se draftin që ka propozuar kreu i qeverisë shqiptare për serbët në veri të Kosovës, t’ia dërgojë Aleksandër Vuçiç dhe të vihet në zbatim edhe për shqiptarët në Serbi. Ai thotë se nuk ka dyshime që Rama beson se propozimi i tij është i mirë, e kësisoj e fton që të njëjtën gjë të bëjë edhe për shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc, Preshevë.
Madje shton, se këtë propozim mund t’ia prezantojë në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur".
“Në Ohër kam ofruar që ta shkruaj draft statutin, nuk kam interes t’i dominoj, se jam kryeministër i të gjithëve, kam kërkuar që të ketë një dakordësi për parimet bazë, se nuk mund të ballafaqojmë tekste kur nuk kemi dakordësi për parimet dhe frymën, nuk kam dyshim që Rama beson që propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu, krejt çfarë unë propozoj është që Rama këtë draft t’ia prezantojë Vuçiçit në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc, Preshevë. Aq më tepër që neni 8, pika 1 thotë që republika shqiptare mbron të drejtat e minoriteve jashtë territorit të Shqipërisë, në vend që t’i propozohet për serbët në veri, t’ia propozojë për shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc, Preshevë", tha Kurti.
Kurti shton se nuk e ka parë atë draft të propozuar pak ditë më parë nga Rama.
"Unë i besoj Ramës që beson se ai model është i mirë për pakicat kombëtare. Duke u bazuar në kushtetutën e Shqipërisë, neni 8 pika 1, por edhe në kontekstin politik, vetëm po tregoj ku është adresa dhe cila do të jetë kërkesa për këtë model. Unë nuk e di atë draf statut, por i besoj kryeministrit Rama që ai beson se është i mirë dhe i duhur. Jemi në kontakt të vazhdueshëm, pasi nëse kemi taksimin e dy qeverive ku na presin marrëveshje të reja", tha Kurti.
Draft-statutin për Asociacionin, Edi Rama ia prezantoi pak ditë më parë presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. Ai tha se këtë nuk e ka konsultuar me asnjë nga palët, as në Kosovë e as në Serbi, duke shtuar se ata që e shajnë këtë draft, pa e njohur, kanë frikë se humbin armikun që iu krijon kushte të flasin dhe të sulmojnë.
Ndërkohë, nesër Kosova dhe Shqipëria do të zhvillojë mbledhjen e përbashkët mes 2 qeverive, kur do të jetë dhe takimi i parë me Ramës dhe Kurtit pas “përplasjeve” në distancë.
(A2 Televizion)