
Virusi i ri Covid-19 ka treguar se nuk kursen asnjë, të pasur apo të varfër, të moshuar apo të rinj. Kryeministra, ministra, politikanë, aktorë dhe sportistë të njohur raportohen çdo ditë si të prekur me virusin e ri me origjinë nga Kina.
Pas vetëkarantinimit të kryeministrit kanadez, Trudeau për shkak se gruaja e tij ka rezultuar pozitive me Covid-19 edhe kryeministri në detyrë i Rumanisë, Ludovic Orban do t’i nënshtrohet të njëjtës procedurë pasi ka pasur kontakte me një senator të partisë së tij, i cili ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Ky është një zhvillim shumë problematik për vendin, pasi gjatë ditës së premte Orban kishte parashikuar një takim me presidentin Klaus Iohannis me të cilin do të konsultohej për përpjekjet e reja në formimin e koalicionit qeveritar. (A2 Televizion)