Durrës, përkujtohet 83-vjetori i pushtimit italian

Nga A2 CNN
7 Prill 2022, 12:05 | Aktualitet
Durrës, përkujtohet 83-vjetori i pushtimit italian

Është përkujtuar sot në Durrës 83-vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian. Në ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, kryetari i qarkut, Alfred Mullaraj dhe kreu i Këshillit Bashkiak, Ani Dyrmishi, deputetë, veteranë dhe qytetarë durrsakë, të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule.

Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti Drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit, Ardian Gurra.

“Ishim të varfër, por Shqipëria ishte një vend i pasur me gra dhe burra idealistë dhe ata ishin krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjithë bota rrezikohej nga çizmja e fashizmit. Edhe njëherë, në këtë ditë të madhe përkujtimi, nder dhe mirënjohje për ta! Kjo datë shënon aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij dhe bija, që duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste”, tha ai.

Ndërsa mbesa e Mujos, Ilda Ulqinaku, u shpreh e nderuar, që qyteti çdo vit kujton gjyshin e saj dhe patriotët e tjerë nga Durrësi, që dhanë jetën duke luftuar kundër pushtuesve italianë.

Heroi i Popullit, Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi, por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin fashist më 7 prill 1939. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos