
Olesia Mazepa është një vajzë nga Kharkivi i Ukrainës, e cila aktualisht strehohet në Lviv, pasi sulmet ruse në qytetin ku ajo jetonte ishin të pafundme, madje dhe shtëpia ku ajo jetonte ishte shkatërruar prej tyre.
Olesia ukrainase ishte në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin "Dita jonë" në A2 CNN, ku rrëfeu tmerret që ajo, familja e saj dhe të gjithë banorët e Ukrainës po përjetojnë tashmë prej 43 ditësh luftime.
Me lot në sy ajo tregon se ndjehet bosh kur sheh qytetin dhe shtëpinë e saj të shkatërruar, megjithatë është besimplotë se Ukraina do ta fitojë luftën.
“Është e vështirë të përshkruaj gjendjen time. Ndihem bosh. Kur sheh fotot e vendeve ku ecje dhe jetoje të shkatërruara, ndihem bosh. Unë besoj se do ta fitojmë këtë luftë. Forca jonë janë njerëzit tanë dhe ne jemi të fortë. Të gjithë rusët, europianët dhe e gjithë bota duhet të përballet me pamjet e asaj që kanë ndodhur në Bucha. Asnjë pas kësaj lufte nuk mund të jetë më i njëjtë. Nuk e kuptoj sesi njerëzit mund ta bëjnë atë gjë në Bucha. Ata nuk janë njerëz, janë kafshë. Unë dua të jetoj në Ukrainë dhe lufta të përfundojë sa më shpejt”, tha Olesia në "Dita jonë". (A2 Televizion)