Problematika e mbledhjes së mbeturinave urbane në bashkinë e Durrësit sa vjen dhe përkeqësohet me shumë.
Pasi kanë tej mbushur kazanët, mbeturinat kanë pushtuar edhe trotuaret e qytetit turistik. Përveç pamjes, dhe dëmtimit te imazhit turistik, tashmë qytetarët ndjejnë edhe aromën e rendë të dekompozimit të mbetjeve urbane.
Përballë kësaj situate bashkia ka nisur të depozitojë mbetjet në zonën e NISH Tullës, duke krijuar edhe aty një situatë mjaft të rëndë për banorët. Madje këto të fundit në shenjë proteste kanë bllokuar paraditen e së hënës hyrjen e makinave që depozitonin mbeturinat në këtë zonë.
Aty ndodhej edhe kryetari i PD për degën e Durrësit, Ferdinand Xhaferri, i cili u shpreh se situata e plehrave në bashkinë e Durrësit është fytyra e vërtetë e mandatit të tretë të socialistëve.
Ndërkohë bashkia është dorëzuar më shumë se një herë përballë kësaj situate, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur fonde nga qeveria qendrore për transportimin e mbetjeve drejt impianteve përpunuese në Tiranë. (A2 Televizion)