Dy rastet me koronavirus, PD: Qeveria gënjen, nuk ka strategji

Nga A2 CNN
9 Mars 2020, 10:32 | Aktualitet
Dy rastet me koronavirus, PD: Qeveria gënjen, nuk ka strategji

Partia Demokratike reaguar menjëherë pas mbledhjes së qeverisë për konfirmimin e dy rasteve të reja me koronavirus. Sipas ish-deputetit Tritan Shehu, mbledhja e sotme tregoi se qeveria nuk ka asnjë strategji për të përballuar situatën nga koronavirusi.

“Mbledhja e sotme e qeverisë tregoi se vazhdohet në amulli e vetëm fasadë. Bëhen deklarata “të sigurta” mbi baza të paqarta, që kanë rëndësi për të ndjekur rastin e gjendjen reale të vendit, thjesht për t’u shmangur. Deklarohet se kontaminimi është “importuar” me rastin “zero” të ardhur nga Firenze para mbi dhjetë ditësh. Nga mund të dalë një siguri e tillë kur Firenze akoma nuk ka deklaruar asnjë rast te prekur? Kjo gjë ka rëndësi të madhe të sqarohet për arsye tonat epidemiologjie, aq më shumë mbas kaq ditësh kthimi në Tiranë”, deklaron Shehu.

Ish-deputeti demokrat, gjithashtu shton se qeveria nuk thotë asgjë për gjendjen e reparteve infektive dhe strategjinë që do të ndjekë për të sëmurët.

“Shoh se qeveria nuk thotë asgjë për sistemin shëndetësor, masat urgjente të domosdoshme të disa përmirësime (megjithëse jemi shumë vonë) të domosdoshme në organizimin e tij, realitetin e furnizimet me bazë materiale konsumi që mungon edhe për personelin, çështje organizative, mobilizimi të resurseve njerëzore etj etj. Nuk thotë asgjë për gjendjen e reparteve infektive, strategjinë për mënyrën e vendin ku e si do të trajtohen këta të sëmurë në nivel vendi. Së fundi, Rama e “zgjidhi qesen”, ka dhënë rreth 3,5 milionë USD, përsëri shumë pak, duke vazhduar të bëjmë shakara të rrezikshme e humbim kohë, siç po veprohet prej janarit”, tha Tritan Shehu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos