
Fundjavë fantastike për Sokol Cikalleshin dhe Myrto Uzunin. Sulmuesi i Konyaspor realizoi dy gola, duke ndihmuar skuadrën e tij që të fitonte me përmbysje spektakolare 3-2 në fushën e Malatyaspor.
Dy rrjetat e realizuara me kokë nga kavajasi, e ndihmojnë skuadrën të largohet nga zona e rënies nga kategoria. Cikalleshi ngjitet në kuotën e tre golave sezonalë të shënuar në këtë sezon të Superligës turke.
Vazhdon të shkëlqejë Myrto Uzuni, që është padyshim një prej arsyeve përse Ferencvaros po dominon në kampionatin hungarez.
Sulmuesi kuqezi realizoi golin e vetëm të ndeshjes me Honved. Kjo ishte rrjeta e tetë sezonale për Uzunin, teksa goditja e tij e saktë nga jashtë zonës theu skuadrën e ish-mbrojtësit kuqezi, Naser Aliji, i cili ishte në stolin e rezervave. (A2 Televizion)