
Gjykata e Faktit në Gjirokastër ka lënë në burg 45 ditor Kabil Hundën i dyshuar për përdhunimin e një të miture 16-vjeçare nga qyteti i Libohovës. Kryesuesja e seancës së masës së arrestit Suela Dashi në fillim të seancës ia ka dhënë fjalën prokurorit Julijan Çafka i cili në tërësinë e argumenteve të paraqitura, ka kërkuar në përfundim 45 ditë burg me arsyetimin e hulumtimit të disa pistave që besohen se do të zbardhin ngjarjen e ndodhur.
Prezent në seancë ka qenë edhe vete 54-vjeçari Hunda i cili ka qenë shumë i qetë dhe po me qetësi ka dhënë shpjegime për ngjarjen në fjalë. Nën prezencën e avokatit të caktuar nga shteti, 53-vjeçari e ka deklaruar veten të pafajshëm dhe sipas tij këtë e di gjithë Libohova.
Ajo që pati interes ishte dalja në skenë e një personi tjetër që mundet të zbardhë komplet zinxhirin e ngjarjes me të cilën akuzohet Hunda.
Ky i fundit ka deklaruar se 16-vjeçarja ka pasur dhe ka raporte intime me një 32-vjeçar nga qyteti i Libohovës dhe kjo është evidente sipas tij. “Jam shumë i qetë se në përfundim do të dalë tjetërkush i akuzuar për një vepër të stisur”, është shprehur Hunda.
Vete ky deklaroi se 16-vjeçaren e ka trajtuar si vajzën e tij pasi janë pjesë e një familjeje dhe në asnjë rast nuk ka pasur tentativa për të kryer ndonjë marrëdhënie intime.
“Jam i bindur që pas kryerjes se analizave në trupin e 16-vjeçares, do të zbulohet ADN e një tjetër personi që është 32-vjeçri nga Libohova”, deklaroi ai.
Në përfundim gjyqtarja Suela Dashi ka aprovuar kërkesën e prokurorit Julijan Çafka për mbajtjen nën qeli të 53-vjeçarit deri sa të zbardhen rrethana të tjera të ngjarjes që mund të ndryshojnë tërësisht objektin e padisë. (A2 Televizion)