
Gjendet i vrarë biznesmeni Ruzhdi Hoxha. 43-vjecari ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij dy javë më parë. Burime zyrtare konfirmuan gjetjen e disa sendeve personale, veshje të tij në zonën e Dajtit dhe disa metra me tutje, në një greminë edhe trupin e tij.
Hoxha kërkohej prej 24 tetorit, tre ditë pasi familjarët kishin humbur kontaktet me të. Njeriu i fundit që takoi Hoxhën ishte Ferdinant Rrushi, aktualisht në paraburgim, i cili pretendon se e ka lënë mikun e tij në zonën e Treshit në Tiranë.
Hoxha, biznesmen në fushën e inerteve në Tiranë, prej më shumë se 2 javësh kishte humbur çdo kontakt me familjen e tij. Denoncimi për 43-vjeçarin ishte bërë nga djali i tij.
Për herë të fundit Hoxha ishte fiksuar nga një kamera sigurie në zonën e autostradës Tiranë-Durrës pranë një biznesi. Fillimisht ishte djali i tij që referoi rastin në komisariatin numër 5 për t’u regjistruar më pas në Policinë e Tiranës.
Mësohet se nga kërkimet e kryera blutë e kryeqytetit kanë mundur të gjejnë kartën sim të telefonit të Hoxhës përmes së cilës janë zbuluar dhe komunikimet e fundit të tij. Mes tyre është dhe një telefonatë me shtetasin Fredi Rrushi i skeduar nga drejtësia italiane për trafik droge. E kaluara e mikut të tij ka bërë që dyshimet e hetuesve të mos përjashtonin edhe pazaret e drogës si pistë për rrëmbimin e tij. (A2 Televizion)