E 21-ta në listën e PS për Tiranën, Kodheli: Ia pranova Ramës këtë sfidë. Do ta thyej kufirin

Nga A2 CNN
14 Prill 2021, 13:46 | Politikë
E 21-ta në listën e PS për Tiranën, Kodheli: Ia pranova

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, është shprehur e sigurt në fitoren e kësaj force politike për zgjedhjet e 25 prillit. E ftuar në studion e "Ditarit" në A2 CNN ajo tha se këtë bindje e bazon te qytetari shqiptar, i cili sipas saj voton më shumë majtas. Ajo theksoi se Partia Socialiste në Tiranë do të marrë 19 mandate.

“Njerëzit janë të vëmendshëm dhe do të shkojnë në votime më shumë seç e kemi menduar se besojnë te vendimmarrja e gjithsecilit prej nesh. Pjesëmarrja e lartë do ta rrisë votën për PS. E kam këtë bindje se qytetari shqiptar voton më shumë majtas. Sa më shumë të shkohet në votime aq më shumë do votohet PS. Njerëzit do të dinë të votojnë si gjithmonë. Minimumi do të marrim 19 mandate”.

Kodheli deklaroi se ia ka pranuar Ramës këtë sfidë, që e ka renditur atë të  21-n në listën e kandidatëve socialistë për qarkun e Tiranës dhe thekson se do ta thyejë kufirin dhe do të ketë rezultate surprizuese, në bazë edhe të votës preferenciale të cilën ia atribuon angazhimit të saj 20-vjeçar në politikë.  

“Unë kam bërë një diskutim me Ramën, unë ia kam pranuar këtë sfidë dhe vij e qetë në këtë garë. Nuk kam shfaqur asnjëherë pakënaqësi, përkundrazi besoj te ajo që kam bërë në 20 vite pse unë përfaqësoj atë forcë politike dhe jam ajo që jam. E kam marrë seriozisht si një sfidë që do ketë rezultat surprizues. Do të jetë më e lehtë se dikush që njihet më pak në politikë. Dalja është më favorizuese se një që nuk del, të qenit gjatë në politikë mbase të konsumon. Gjërat po i ke bërë mirë nuk ka pse të konsumojë, nuk e besoj çështjen e konsumit politik, pragmatizmi i njerëzve dhe pozitiviteti në raport me mua dhe favori që kam vite në politikë. Unë do ta thyej herësin dhe kufirin. E di që njerëzit do të më besojnë votën. Unë do vazhdoj, nuk i lë fushatat e betejës. Jam në këtë betejë, më pëlqejnë sfidat. Nuk është as e para, as e fundit dhe kjo forcë e brendshme më shtyn t’i bëj sfidat mirë dhe të sinqerta, pa paramendim”.

 Duke e konsideruar një fushatë intriguese dhe me sfida të mëdha, Kodheli shprehet se do të ketë surpriza të këndshme, por i rëndësishëm është procesi zgjedhor.

“Fushatë intriguese, jam rikthyer në Tiranë, kam qenë e deleguar e kryesisë edhe në qarqe të tjera. 2005 ka qenë hera e fundit që kam qenë këtu. Kjo fushatë ka sfida më të mëdha. Është një fushatë që do të ketë surpriza të këndshme e të rëndësishme, është procesi. Unë kam bërë shumë gjëra në jetë dhe kam një familje politike që është PS. Gjërat që kam bërë më mirë kanë qenë ato me shërbimin ndaj vendit e njerëzve. Kam dhënë kontributin tim dhe nuk jam kursyer. Njerëzit dinë defektet dhe vlerat e mia kurse ajo që më çudit është që disa gjykojnë pa e ditur fare. Shqetësimi im nuk është rrjeti social, unë i shoh njerëzit drejt në sy dhe fjala për mua është dominonte. Kontaktin human nuk e zëvendëson asnjë mjet sado i avancuar të jetë.

Ka disa shtylla në të cilat duhet të mbështetet fjalori ynë politik i së ardhmes, si hapja e negociatave dhe çuarja para e reformave, zerimi i taksave apo fasilitete të tjera që do mund të shtyjnë prodhimin e brendshëm shqiptar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos