
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi para gazetarëve se Sali Berisha nuk i ka mbledhur firmat për të vënë në lëvizje mekanizmat e Kuvendit.
“Berisha ka qenë për një kohë të gjatë kreu i PD-së, e njeh shumë mirë statutin dhe i njeh shumë mirë rregullat e partisë. E di shumë mirë se si vihen në lëvizje mekanizmat e Kuvendit. Jam thellësisht i zhgënjyer nga tallja që u ka bërë dje demokratëve. Nëse do t’i kishte mbledhur firmat, do t’i kishte dorëzuar sipas statutit, në mënyrë që të nisnim procedurën statutore. Por, nuk e ka bërë këtë gjë pasi e gjitha ka qenë një blof. Atë që e nisi si betejë për demokratizimin e PD-së, përfundoi si betejë për hallet e tij personale”, u shpreh Basha.
“Kuvendin Kombëtar jam i gatshëm ta thërras sa herë që të jetë i nevojshëm. Dua të hedh poshtë gënjeshtrën e shpërndarë se kreu i PD-së nuk dëshiron Kuvend. Por, asnjë Kuvend nuk do të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane dhe PD-ja nuk do të kthehet në bunker të Sali Berishës, por do të mbetet shpresa e demokratëve. Do të ecim përpara sepse kemi përballë një regjim, që po e shikoni që mbështetet në një trekëndësh. Kemi të dhëna se regjimi është bërë pjesë e përpjekjes për një puç brenda Partisë Demokratike”, shtoi Basha. (A2 Televizion)