
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar dhe në lidhje me deklaratën e ambasadores amerikane, Yuri Kim, e cila u shpreh gjatë një interviste se nuk do të bashkëpunojë me askënd të shpallur “non grata” nga DASH dhe se njeh Lulzim Bashën si kryetar të demokratëve.
Berisha ftoi ambasadoren amerikane që të dorëzojë provat në Gjykatën e Parisit dhe shtoi se ka marrë fund koha e shprehjes “kemi prova, por nuk i themi”.
“Së pari, më duhet të them se “Foltorja” ka zgjuar shpresa të mëdha në mbarë botën. Dhe dua t’iu informoj se kjo pritje që shihni në Shqipëri nuk është më pak entuziaste në vendet mike. Nuk janë të pakta përgëzimet që marr për këtë nismë të shpëtimit të pluralizmit, por për hir të së vërtetës dhe nga republikanë amerikanë. Për të mbyllur këtë problem zonjës dhe cilitdo tjetër që ka një provë, vakt të vetëm, e ftoj t’i dërgojë pranë gjykatës në Paris. Shpreh kënaqësinë se miq, se personalitete të shquara të elitës amerikane nuk pranojnë, nuk binden, e marrin si një hakmarrje politike deklaratën se kemi prova, por nuk i themi. Ke prova çoji para gjykatës. Jam i sigurt që Shqipërinë do ta afroj më shumë me BE dhe SHBA”, u shpreh Sali Berisha. (A2 Televizion)