E qëlloi me shpullë, Will Smith i kërkon ndjesë publike komedianit Chris Rock  

Nga A2 CNN
29 Mars 2022, 07:53 | Showbiz
E qëlloi me shpullë, Will Smith i kërkon ndjesë publike

Pasi e qëlloi me shpullë në mes të skenës, në një mbrëmje prestigjioze si ajo e çmimeve Oskar, aktori Will Smith i kërkon falje komedianit Chris Rock, për atë që e quan një sjellje të pafalshme dhe të papranueshme nga ana e tij.

“Dua të të kërkoj falje publikisht Chris”, shkroi Smith në një deklaratë.

“Dola nga linjat dhe bëra gabim”. Ndjesa erdhi pasi Akademia e Çmimeve Oskar reagoi ashpër për ceremoninë e së dielës dhe tha se po rishikon ngjarjen, ku nuk përjashtohet edhe tërheqja e statujës së artë për aktorin 53-vjeçar, i cili u shpall aktori më i mirë mashkull për rolin e tij në filmin "King Richard".

“Dhuna është shkatërruese, në të gjitha format e saj”, thotë Smith i cili pohon se shakatë në emër të tij janë pjesë e punës së tij, por kur shakatë bëhen për shëndetin e gruas së tij të sëmurë, kjo ishte shumë për të duruar dhe reagoi emocionalisht.

Will Smith dhe skuadra e tij e PR shpreson që përmes kësaj ndjese publike të mund të shpëtojnë karrierën e vlerësimet e aktorit dhe marrëdhënien e tij me Akademinë.

Përpos gjithçkaje, skena e shpullës ishte momenti për të cilin e gjithë bota foli pas ceremonisë së 94-t të çmimeve Oskar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos