Sikur të mos mjaftonin protestat e “jelekëve të verdhë”, qeveria franceze duhet të përballet tani me mundësinë e një proteste të oficerëve të policisë, të cilët kërkojnë përmirësim të kushteve të punës dhe një shpërblim prej 300 eurosh për ata që kanë shërbyer jashtë orarit gjatë protestave në të gjithë vendin.

Presidenti Emmanuel Macron është zotuar që më parë se bonusi do të jepet, por gjithsesi dy sindikata policësh kanë paralajmëruar se do të ngadalësojnë ritmin e punës.

“Ne nuk shitemi dhe nuk blihemi. Është e sigurt që ky bonus nuk e zgjidh krizën”, tha Yves Lefebvre, kryetar i sindikatës “Unite-SG”.

Sipas shifra ve të policisë, bonusin do ta përfitojnë 111 000 policë dhe ushtarakë dhe e gjithë kosto e operacioni do të shkojë rreth 33 milionë euro. Çështja madje do të debatohet edhe në parlament, gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2019.

Përveç bonusit, sindikatat kërkojnë edhe mijëra orë shtesë të papaguara që janë mbledhur përgjatë viteve dhe kërcënojnë që të nisin protestën e tyre me “jelekë blu” kundër Presidentit Macron, pasi kanë qëndruar prej pesë javësh përballë protestuesve në të gjithë vendin. (A2 Televizion)