
Ish-kryeministri Sali Berisha tregoi në Korçë vizionin e tij për të rikthyer Partinë Demokratike në pushtet.
Ai u shpreh se duhet një hapje e madhe e partisë për tërheqjen e figurave të përgatitura dhe tregoi se në të ardhmen vendimet duhet të ndërmerren me primare, përfshi këtu edhe se kush duhet të jetë kryeministër.
Berisha shtoi se në parti do të lejohen fraksionet, ndërsa deklaroi se largimi i Edi Ramës bëhet vetëm me protesta të fuqishme.
"Ne mund të ringrihemi më të fuqishëm. Ne u ringritëm në 1997 kur u bëmë copë-copë nga rebelimi komunist. Tani do ringrihemi dhe më të fuqishëm, kemi dhe eksperiencë. Ne fituam në 2005 sepse u bashkuam. Nuk është se nuk kishim sherre ne më përpara, kemi pasur edhe përçarje, por u ringritëm mbi këto dhe u bashkuam.
Duhet hapje e madhe. Duhet të përthithim forcat, intelektualë, ekspertët më të mirë në mënyrë që qeverisja jonë të ketë përgatitjen më të mirë. Themeli është vlera demokratike brenda partisë. Do t’i japim fund kësaj situate. Se kush do jetë deputet do të vendosni ju me primare. Këto primare krijojnë raportin më të ndershëm të deputetit me zgjedhësin. Nuk do jetë kusht që kryetari i partisë të jetë kryeministër. Mjafton të heqim unin dhe të vëmë si qëllim kryesor shërbimin ndaj vendit. Dhe për kryeministrin do të vendosni ju me primare. Vendimet do të jenë kolegjiale.
Partia do të përgatitet për fraksione. PD do të jetë shtëpia e lirisë. Fraksionet kanë rregullat e tyre. Cilido le të lexojë ato ekzistojnë. Duan punë të krijohen, por rrugën e ke të hapur. Do të ndërtojmë një parti si kjo ‘Foltore”dhe më të lirë. Edi Rama nuk ikën nga pushteti nga me votat që kontrollon, as me opozitë pupël. Ai largohet vetëm me protesta të fuqishme për të këqijat që i ka bërë këtij vendi", tha Berisha. (A2 Televizion)