
Në debatin e brendshëm që ka përfshirë Partinë Demokratike, Agron Gjekmarkaj është qartazi i pozicionuar në krah të kryetarit Basha. Foltoren e Sali Berishës, ai e sheh si nismë të nxitur nga interesa personale, por një të mirë ia njeh.
“Filloi këtë lëvizje kur ai u lëndua nga vendimi i Bashës për ta pezulluar nga PD-ja, shtysa është personale. Thotë të vërtetën. Sigurisht që PD-ja ka problem dhe PD-ja nuk mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe pas kësaj PD-ja nuk mund ta vazhdojë më rutinën e zakonshme”.
Drejtuesi politik i Qarkut të Lezhës këshillon kryetarin Basha të jetë i hapur ndaj thirrjes së Kuvendit Kombëtar të demokratëve, por ka një thirrje edhe për ata që po hedhin firmat për mbajtjen e tij.
“A mund të bëjë Kongres PD-ja? Mund ta bëjë para Kongresit që ka kërkuar Berisha. Mendoj që Basha duhet të shtrijë duart 180 gradë për të gjithë, por edhe të tjerët të kenë dëshirën që të vijnë. Nuk mund të vijnë me thikë për ta ngulur në brinjë, ndërkohë që tjetri do të dojë t’i përqafojë për qëllim të përbashkët, jo interes politik, por pragmatizëm politik”.
Kur vjen fjala te marrëveshjet politike me mazhorancën, si ajo e përfolur për shkëmbin e votave për vetingun në favour të rishikimit të reformës territoriale, Gjekmarkaj nuk shikon tabu.
“Shqipëria ka pasur plot marrëveshje politike. Me këtë nuk dua të nxis marrëveshjen me Ramën, apo të justifikoj marrëveshje që nuk di, por në politikë bëhen edhe marrëveshje me kundërshtarin se ndryshe vendi shkon në prag konflikti. Shqipëria nuk mban konflikte dhe marrëveshje në të mirë të vendit, duhet të ketë një ditë mes palëve”.
Por në rastin konkret, ai mohon të ketë një dakordësi mes dy partive më të mëdha për reforma të kërkuara nga opozita dhe mazhoranca. (A2 Televizion)