Edy Reja kalon stafetën: Largohem me kokën lart, këshillat për Sylvinho

Nga A2 CNN
9 Janar 2023, 11:00 | Futboll
Edy Reja kalon stafetën: Largohem me kokën lart, këshillat

Largohem me kokën lart. Kështu u shpreh trajneri italian, Edy Reja, në konferencën e tij të fundit për shtyp, ku i kaloi stafetën pasardhësit të tij brazilian, Sylvinho.

Tekniku Reja deklaroi se gjeti "një skuadër që nuk kishte as krye e as fund", por që tashmë po lë një grup të fortë, të aftë për t’u kualifikuar në Europian.

“Jam i emocionuar. Do të doja të nënvizoja rezultatet që kemi arritur që nuk janë të parëndësishme. Kemi bërë të luajnë për herë të parë 40 lojtarë, kemi arritur rezultate premtuese dhe ishim pranë objektivave për t’u kualifikuar në Botëror dhe për një pikë mund të shkonim në eliminatore. Periudhën e fundit nuk kam nxjerrë dot skuadrën më të mirë. Gjeta një skuadër që nuk kishte as krye, as fund. Bëmë një punë të jashtëzakonshme dhe profesionale. Falënderoj dy ndihmësit e mi që më mbështetën gjatë gjithë kohës”, u shpreh Reja.

Italiani fajësoi dëmtimet dhe Covid për rezultatet e fundit të Kombëtares dhe u shpreh se kishte besuar gjithnjë se Shqipëria do të mbërrinte në eliminatoret e Botërorit, por në futboll ndodh gjithçka.

“Po lë pas një pjesë të zemrës sime në Shqipëri. Falënderoj presidentin që më dha këtë mundësi. Largohem me kokën larg, kemi krijuar një grup të bukur. Unë besoja vërtetë te Botërori. Po lë një grup të fortë që mund të kualifikohet në Europian. Shpresoj që skuadra të jetë e plotë dhe të mos ketë dëmtime si unë”, tha Reja.

Në fund, tekniku italian dha edhe disa këshilla për brazilianin duke i thënë se duhet të përfshijë në ekip sa më shumë lojtarë nga Superiorja, të cilët sipas tij u përgjigjën mjaft mirë në ndeshjet e fundit të Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos