Ekipet sportive në shkolla, Rama: Nga këtu do të dalin kampionët e së ardhmes

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2022, 14:47 | Sporte të tjera
Ekipet sportive në shkolla, Rama: Nga këtu do të dalin

Mbi 20 mijë nxënës nga 700 shkolla të vendit u mblodhën në stadiumin “Air Albania” për të shënuar nisjen e projektit të ekipeve sportive në shkolla.

Kryeministri Rama e cilësoi iniciativën si një lëvizje sportive, e cila do të evidentojë kampionët e së ardhmes në disiplina të ndryshme. “Në këtë lëvizje të madhe, e cila sapo ka nisur, me siguri do të dalin edhe ata kampionë që do të ngrenë lartë flamurin e Shqipërisë dhe do të nderojnë mbarë kombin shqiptarë. Mbi të gjitha kjo është një lëvizje për shëndetin”, tha Rama.

Fidel Ylli, kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar i angazhuar në këtë projekt, foli për elitën e ardhshme të sportit shqiptar, pa harruar edhe mundësitë që ofron projekti për familjet në vështirësi ekonomike. “Ky projekt do të krijojë elitën e ardhshme të sportit. Ne mendojmë se me këtë projekt do të gjallërojmë të gjitha bashkitë e vendit me jetën sportive, do t’i vijë në ndihmë familjeve shqiptare, që nuk do të paguajnë asnjë lekë për të blerë atlete, çanta topa”, tha Ylli.

Gjatë ceremonisë u prezantuan 700 ekipet e shkollave nga e gjithë Shqipëria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos