Ekuador-Durrës, linja e konsoliduar e trafikut të kokainës

Nga A2 CNN
1 Tetor 2019, 19:38 | Kronikë
Ekuador-Durrës, linja e konsoliduar e trafikut të kokainës

Sekuestrimi i 137 kilogramëve kokaine në Pire dhe Portin e Durrësit ishte vetëm ngarkesa e fundit e një prej linjave më të fuqishme të drogave të forta që e ka pikënisjen në Amerikën Latine.

Që nga viti 2013, trafikantët e kokainës nga Ekuadori e përdorin vendin tonë si trampolinë për tregun europian. “Alba Exotic Group”, kompania që tentoi të transportonte 137 kilogramë kokaine kishte kryer plot 151 udhëtime me të njëjtin itinerar. Ky ishte rasti i vetëm që u diktua për këtë kompani.

Për t’u veçuar është qyteti nga i cili janë nisur shumë nga ngarkesat, Gujakail një qytet portual i Ekuadorit. Rasti i parë daton në nëntor të vitit 2013 kur, në një kontejner u zbuluan 125 kilogramë kokainë. Destinacioni sipas autoriteteve ekuadoriane ishte Shqipëria.

Një vit më pas, në maj, në të njëjtin qytet gjatë operacionit të koduar “Arkano”, policia ekuadoriane sekuestroi 89 kilogramë kokainë. Sërish destinacioni ishte porti i Durrësit. Ky u pasua nga një tjetër operacion për kapjen e drogës. Sërish 93 kilogramët e kokainës do të dërgoheshin në Shqipëri.

Operacion tjetër që dëshmon për një linjë të konsoliduar të trafikut të kokainës, ishte ai i vitit 2016. Sërish destinacioni ishte Shqipëria. Kësaj radhe me 101 kilogramë të fshehura në kontejnerin e zakonshëm me banane. Si dëshmia më e qartë që trafikantët e kokainës gjejnë në portin e Durrësit një pikë-kalimi të përshtatshme për drogën ishte guximi për të dërguar me vetëm një ngarkesë, sasinë gjigande prej 613 kilogramësh me “Arbri Garden”.

Fatmirësisht shërbimet e huaja ishin vigjilente dhe u vunë në lëvizje për të ndalur itinerarin e zakonshëm tashmë, Gajakail- Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos