
Prokuroria dhe policia, krahas hetimit të përplasjes mes grupeve kriminale, nuk përjashtojnë dhe pistën e ekzekutimit të Bardhok Planajt për shkak të përfshirjes së tij në fushatën zgjedhore.
Për këtë, hetuesit kanë verifikuar takimet e dy javëve të fundit të Bardhok Planajt, kjo dhe pas zbardhjes së telefonatave që ai ka pasur në qytetin e Shkodrës. Njëri prej celularëve të tij u gjet në gjendje pune pasi 46-vjeçari u ekzekutua me breshëri kallashnikovi.
Hetuesit ende nuk kanë marrë në pyetje familjarë të tij, por disa persona që Planaj ka pasur kontakte e të cilët kanë thënë se ai kishte nisur takime lidhur me fushatën zgjedhore prej disa kohësh.
Nga ana tjetër, hetuesit janë përqendruar te spitali rajonal i Shkodrës aty ku ishte dhe vizita e fundit e Bardhok Planajt.
30 kamera sigurie janë sekuestruar në të gjithë itinerarin që të çon për te spitali pasi dyshohet se makina e atentatorëve ka qenë gjatë gjithë kohës në ndjekje. Pasi u kthye në shtëpi dhe la bashkëshorten, 47-vjeçari doli sërish, ndërsa nga një distancë prej 50 metrash nga makina e tij u qëllua për vdekje. Dy ekzekutorët, për hetuesit, janë profesionistë pasi në lëvizje ata goditën 79 herë në të njëjtën pikë në krahun e shoferit. (A2 Televizion)