Është arritur të neutralizohet rreziku nga lëndët toksike në lagjen numër 9 në ndërtesën e ish-trikotazhit në Korçë. Si pasojë e lagështirës këto lëndë kimike me sasi të konsiderueshme brenda ambienteve ka krijuar reaksione kimike duke lëshuar gazra të dëmshëm dhe duke krijuar situatë paniku te banorët e kësaj lagjeje e kryesisht për rreth 10 familje pranë një pallati.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse të cilët kanë rrethuar zonën dhe ndërhynë për neutralizimin e situatës. Në fakt kontakti me ujin ka bërë që lëndët të riaktivizohen së tepërmi duke shkaktuar tym dhe rëndim të ajrit. Në zonë në mbrëmje kanë mbërritur forcat e armatosura dhe përfaqësues së Ministrisë, së bashku me ekspertë kimikë për të neutralizuar më pas edhe 6 vatra të cilat ishin aktive.
Ekspertët kimikë prej 12 personash kanë vijuar punën deri në orën 4:00 të mëngjesit. Mostra të lëndëve kimike janë çuar në laboratorin e Tiranës për të përcaktuar edhe llojin e tyre. Situata paraqitet e qetë në zonë por në një moment tjetër këto lëndë kimike duhet të zhvendosen diku tjetër pasi bëhet fjalë për sasi të konsiderueshme brenda kësaj ndërtese.
Ndërkohë prej 6 muajsh kjo situatë ka qenë shqetësuese për banorët ndërkohë që institucionet lokale nuk kanë ndërhyrë asnjëherë pavarësisht rrezikut që paraqisnin. (A2 Televizion)