EMA e cilëson të sigurt, shtetet e BE rinisin përdorimin e vaksinës së AstraZeneca

Nga A2 CNN
19 Mars 2021, 16:35 | Bota
EMA e cilëson të sigurt, shtetet e BE rinisin përdorimin e

Shtetet kryesore të Bashkimit Europian rinisin përdorimin e vaksinës së AstraZeneca, pasi Agjencia Europiane e Barnave e cilësoi atë si të sigurt dhe të efektshme.

Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja njoftuan menjëherë se do të rifillonin fushatën me vaksinën e Astrazenecas, por shtete si Suedia thanë se do të merrnin edhe pak ditë per të vendosur.

EMA rishqyrtoi të dhënat lidhur me vaksinën pasi 13 shtete të BE-së e pezulluan atë, me frikën se mund të shkaktojë mpiksje të gjakut. Pas shtimit të disa rasteve me trombozë, rregullatori europian arriti në përfundimin se vaksina nuk lidhej me rrezik të shtuar të mpiksjes së gjakut, por shtoi se do të vijojë të studiojë mundësinë për një lidhje të tillë.

“Komiteti ynë i ekspertëve për sigurinë e vaksinës, ka arritur në një përfundim lidhur me rastet e mpiksjes së gjakut te persona të vaksinuar me vaksinën e AstraZenecas. Komiteti ka arritur në një konkluzion të qartë. Kjo është një vaksinë e sigurt dhe e efektshme. Përfitimet e saj, në mbrojtjen e qytetarëve nga hospitalizmi dhe infektimi i rëndë nga Covid-19, i tejkalon rreziqet e mundshme. Komiteti i ekspertëve arriti gjithashtu në përfundimin se kjo vaksinë nuk lidhet me rritje të rrezikut të përgjithshëm për evente trombotike apo mpiksje gjaku”, deklaroi EMA.

Megjithatë, EMA pranoi se pas shqyrtimit të kujdesshëm, të atyre që i quajti raste të rralla, por të rënda të çrregullimit të gjakut, nuk mund të përjashtohet plotësisht një lidhje mes këtyre episodeve dhe vaksinës.

“Një situtatë e tillë nuk është e papritur kur vaksinon miliona njerëz. Miliona njerëz po vaksinohen dhe mijëra pësojnë mpiksje gjaku cdo vit”, shtoi ajo.

Agjencia rekomandon që të rritet ndërgjegjësimi lidhur më këto rreziqe të mundshme, duke u siguruar që ato të përfshihen në informacione lidhur me produktin. Hetime të mëtejshme do të zhvillohen për të mësuar më shumë, mbi rastet.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos