
Klima e investimeve vazhdon të jetë jo e mirë në vendin tonë. Kështu tha në “Business News”, Marinela Jazo, drejtore ekzekutive e Shoqatës së Investitorëve të Huaj.
“Nuk mund të themi që kemi një klimë të shëndetshme të të bërit biznes. Patëm dy kriza të mëdha, tërmetin dhe pandeminë. Por klima jo e mirë lidhet edhe për momentin në të cilin ndodhet vendi ynë. Sistemi gjyqësor vijon të jetë një gangrenë. Probleme të tjera janë konkurrenca e pandershme, korrupsioni i lartë dhe problemet e pronësisë. Kur të zgjidhen këto probleme mund të flasim për klimë të mirë të biznesit”, tha Jazo.
Çdo katër vite, Shoqata e Investitorëve të Huaj boton “Librin e Bardhë”, ku evidentohen problemet e biznesit. “Sot, katër vite më pas, problemet janë po ato. Nuk ka përmirësime të mëdha, janë shumë të vogla”, tha Jazo.
Sipas saj, investitorët e huaj prisnin më tepër sa i përket riorganizimit të institucioneve. “Nuk ka rëndësi politika, socialistë apo demokratë. Prisnim riorganizim të të ashtuquajturave “mega” ministri. Janë institucione shumë të mëdha, me disa industri, me të cilat komunikimi është shumë i vështirë. Në pamje të parë, Shqipëria paraqitet si vend në zhvillim, me potenciale të paeksploruara. Por në momentin e kontaktit të parë, kompanitë ndeshen me problematikat, burokracia, informaliteti, konkurrenca e pandershme, moszbatimi i kontratave, etj.”. (A2 Televizion)