
Për të diskutuar mbi kritikat dhe rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte i ftuar në Business News Klodian Muço, ekspert për ekonominë, pedagog në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Muço u shpreh se Fondi Monetar Ndërkombëtar e vuri theksin te borxhi publik pasi jemi në një situatë ku shqiptarët po varfërohen çdo ditë dhe rritja e çmimeve ka një ndikim të drejtpërdrejtë.
“Janë të njëjtat probleme që janë ngritur edhe në të kaluarën. Një ndër problemet kryesore është borxhi publik që ka tendenca rritëse dhe që qeveria ka vendosur të rrisë edhe më tepër investimet në infrastrukturë. Ka kritika për rishikimin në mënyrë të vazhdueshme të buxhetit për investime strategjike, që ndoshta në disa momente të caktuara, siç është ekonomia shqiptare sot, normalisht FMN me të drejtë thotë mos investoni në projekte strategjike.
Thelbi është se jemi në një krizë të re, pasi kaluam atë të pandemisë, e kemi kaluar pjesërisht. Tani jemi në një krizë me rritje të ndjeshme të çmimeve. Inflacioni ndikon, i bën presion borxhit publik, ndaj u theksua kaq shumë borxhi publik. Jemi në një situatë ku qytetarët shqiptarë po varfërohen çdo ditë e më tepër. Nuk duhet harruar që një në tre shqiptarë jetojnë më pak sesa me 5 dollarë në ditë”, u shpreh Muço. (A2 Televizion)