Ëndrra europiane, kalvari i gjatë e i mundimshëm i Ballkanit

Nga A2 CNN
17 Tetor 2019, 20:04 | Politikë
Ëndrra europiane, kalvari i gjatë e i mundimshëm i Ballkanit

Bashkimi me Europën rezulton të jetë një kalvar i gjatë dhe i lodhshëm për vendet e Ballkanit. Shembulli më i mirë i një rrugëtimi pa krye është Turqia, aspirante që prej 1999-s.  

Negociatat për anëtarësimin e plotë nisën në tetor të 2005-s. Ujdia për refugjatët mes Ankarasë dhe Brukselit në 2016-n i përshpejtoi negociatat pas një stanjacioni të mëhershëm, dhe turqit u lejuan të udhëtojnë pa viza. Por që prej atëherë negociatat kanë ngecur, e tani duket të jenë në pikë të vdekur.

Serbia ka qenë në axhendën e zgjerimit që prej 2011-s, kur u bë kandidat për anëtarësim. Negociatat u çelën në 2014 dhe pavarësisht se vendi konsiderohej ndër favoritët, raporti i qershorit nuk ishte pozitiv.

Pritshmëritë ishin se Beogradi do të bëhej pjesë e familjes në 2025-n, por Brukseli nuk po ia del ta detyrojë Serbinë të shohë në sy, makthin më të keq, atë të pavarësisë së Kosovës.

https://a2news.com/2019/10/17/celja-e-negociatave-te-gjithe-syte-nga-brukseli-presidenti-i-pe-te-mbajme-premtimet/

Mungesa e progresit në dialogun mes dy vendeve po përdoret edhe kundër Prishtinës. Kosova bashkë me Bosnjë Hercegovinën nuk kanë as statusin e vendeve kandidatë. Demarkacioni me Malin e Zi ishte mes kushteve kryesore të liberalizimit, por pavarësisht miratimit me jo më pak dhimbje në 2018-n, liberalizimi nuk erdhi.  

Negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi u çelën në 29 qershor të 2012-s. Por Brukseli nuk bindet nga standardet e ulëta dhe institucionet e dobëta. Megjithatë objektivi për t’iu bashkuar unionit në 2025-n, konsiderohet më real se në rastin e Serbisë.  

Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat që prej 2005-s. Mosmarrëveshjet me Greqinë për çështjen e emrit u kthyen në barrierën kryesore për progres. Megjithëse Shkupi vulosi me dhimbje kompromisin për të ndryshuar emrin, duket se do të jetë viktima më e pastër e mosmarrëveshjeve brenda Bashkimit Europian.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2019/10/16/negociatat-rama-nga-brukseli-per-a2-ndarje-nga-maqedonia-sjemi-ne-keto-kushte/#utm_source=a2-related&utm_source=a2pages&utm_campaign=hp-related
https://a2news.com/2019/10/17/hapja-e-negociatave-merkel-shanset-nuk-jane-te-mira/#utm_source=a2-related&utm_source=a2news&utm_campaign=general
https://a2news.com/2019/10/17/negociatat-hahn-jo-ja-nuk-eshte-deshtim-i-qeverise-shqiptare/#utm_source=a2-related&utm_source=a2news&utm_campaign=general

A2 CNN Livestream

Latest Videos