
Ervin Bushati, deputet i Partisë Socialiste, u shpreh në studion e “Ditari” në A2 se “Presidenti ka agjendën e tij politike”, por shtoi se “qeveria nuk mund të shpërqendrohet nga teatri” i tij.
“Presidenti ka agjendën e tij politike. Ai nuk po flet në emrin e shqiptarëve sepse nuk po flet për rindërtimin apo integrimin. Po flet për formulën e betimit të gjyqtarëve, gjë që është qesharake”, theksoi Bushati.
Sipas deputetit socialist, presidenti nuk e shpërndan dot Parlamentin, duke shtuar se Kreu i Shtetit “po e manipulon Kushtetutën për arsye politike”.
“Qeveria nuk mund të shpërqendrohet nga teatri i presidentit. Qytetarëve i interesojnë shtëpitë e reja që do t’i marrin falas nga shteti, jo mënyra e betimit të anëtarëve të gjykatës”, nënvizoi Bushati.
Në lidhje me amnistinë fiskale, Bushati u shpreh: “Kemi një rritje të vazhdueshme dhe të njëtrajtshme të ekonomisë. Ajo që do të ndodhë është formalizimi i ekonomisë. Kemi një Reformë në Drejtësi të lidhur me bllokimin e pronave të krimit, ku pasi të bllokohet çdo pronë krimi, do të duhet të vendosim një vit 0 për ekonominë e formalizuar që e njeh shtetin. Kjo do të bëhet duke i kërkuar të gjithëve që të vendosen në kushte të barabarta loje. Bllokimi i pronave të krimit është një operacion thellësisht ekonomik. Krimi ka përfitim të madh ekonomik. Po flasim për një kancer të madh të shoqërisë dhe ekonomisë. Kjo iniciativë ka kryefjalë demotivimin e krimit. Nëse i marrim pronat krimit, krimi nuk do ta shohë më të leverdisshme operimin”. (A2 Televizion)