
Nxënësit e gjimnazit “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit kanë kaluar momente paniku edhe gjatë paradites së kësaj të enjte. Një ditë pasi 42 nxënës të këtij gjimnazi u dërguan në urgjencë pasi shfaqën probleme me frymëmarrjen si pasojë e hedhjes së spërkatësve me piper, një tjetër nxënëse është ndjerë në ankth gjatë orës së parë të mësimit.
Prania e autoambulancave ka bërë që prindërit të dynden në dyert e shkollës dhe të kërkonin sqarime për fëmijët e tyre. Në këto momente, drejtoresha e Zyrës Arsimore të Fierit, në tentativë për të sqaruar prindërit, e frikësuar dha këtë sqarim: “Është shtatzënë”.
Por, e kontaktuar më pas me telefon nga reporterja e A2, Jerola Ziaj, drejtoresha e Arsimit të Fierit i ka kërkuar ndjesë nxënëses dhe prindërve të saj për atë deklaratë të nxituar. Ajo u shpreh se vajza nuk ishte shtatëzënë, por kishte patur gjendje ankthi. Dhe se shtatëzëninë e kishte përmendur për shkak se në të vërtetë një mësuese e shkollës ishte shtatëzënë dhe në ato momente kishte shfaqur probleme shëndetësore.
Ndërkohë, për ngjarjen e një dite më parë, policia dhe prokuroria kanë proceduar dy nxënës 15-vjeçarë, të cilët hodhën në ambientet e shkollës spërkatësin me piper. (A2 Televizion)