Euro bie sërish, frenohet forcimi i dollarit

Nga A2 CNN
13 Korrik 2022, 16:22 | Ekonomi
Euro bie sërish, frenohet forcimi i dollarit

Euro ka shënuar një tjetër rënie në tregun tonë të këmbimit, ndërkohë që është frenuar forcimi i dollarit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka zbritur në 117,3 lekë, duke humbur 0,25 lekë kundrejt një dite më parë dhe duke shënuar kështu një rekord të ri në rënie.

Ndërsa dollari shkëmbehet me 116,8 lekë ose 0,64 lekë më pak se dje, kur pati arritur nivelin më të lartë që prej mesit të vitit 2017.

Ecuria e kursit të këmbimit po ndikohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Në tregun tonë, euro po bie për shkak të prurjeve të mëdha valutore nga turistët e huaj dhe emigrantët që kthehen në atdhe për pushime. Përsa i përket faktorëve të jashtëm, në tregjet ndërkombëtare dollari vijon të forcohet tashmë prej muajsh, si pasojë e pasigurive nga lufta në Ukrainë dhe vendimeve të Rezervave Federale Amerikane për ta forcuar atë.

Një ditë më parë në bursa, euro u barazua me dollarin, për herë të parë që nga dhjetori i vitit 2002. Gjatë 20 viteve të fundit, euro ka ruajtur një epërsi ndaj monedhës amerikane, mesatarisht me rreth 15%.  

Situata mbetet e paqartë përsa i përket euros në vijim. Por, gjasat janë që rënia e saj të vijojë të paktën deri në përfundim të sezonit veror, ndërsa në tregjet ndërkombëtare presionet janë shtuar për shkak të frikës nga një recesion i thellë në vjeshtë dhe investitorët po orientohen drejt dollarit amerikan.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos