Euro zhvlerësohet nga inflacioni, zbret në 118 lekë

Nga A2 CNN
11 Korrik 2022, 16:25 | Ekonomi
Euro zhvlerësohet nga inflacioni, zbret në 118 lekë

Euro shënon nivelin më të ulët në harkun kohor të një viti. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane këmbehet me 118.07 lekë. Pas një stabiliteti të krijuar në ditët e para të korrikut, euro u ul ndjeshëm me 1,23 lekë, duke bërë që monedha vendase të fitojë terren. Faktorët që po ndikojnë në zhvlerësimin e euros janë kryesisht të brendshëm si prurjet e turistëve të huaj dhe emigrantëve që kthehen në atdhe për pushime.

Në këtë periudhë të vitit, rënia e euros është e pritshme për shkak të valutës së madhe në qarkullim, ndërsa kërkesa mbetet relativisht e dobët.

Në nivelet aktuale, ku euro po shënon rekorde të reja në rënie, ajo po i afrohet gradualisht barazimit me dollarin amerikan. Në tregun tonë valutor, dollari ka arritur në 116.7 lekë. Monedha europiane po dobësohet edhe në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, euro tregtohet për rreth 1,02 dollarë, niveli i saj më i ulët në dy dekada.

Faktorët që ndikojnë në këtë “tkurrje” lidhen me ngadalësimin e ekonomisë europiane dhe frikën në rritje për recension. 

Presionet inflacioniste kanë “mbërthyer” ekonomitë e shumë vendeve të cilat po vuajnë pasojat e një lufte pa afat. Sipas mediave ndërkombëtare, rritja e çmimit të energjisë dhe gazit për shkak të zhvillimeve gjeopolitike do të ndikojnë në luhatjen e herëpashershme në kursin e këmbimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos