
Për herë të parë në dy dekada, vlera e këmbimit mes euros dhe dollarit amerikan është thuajse e njëjtë. Dy monedhat e njohura janë më pak se një cent larg barazisë së plotë në tregjet ndërkombëtare. Në kursin e këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë për ditën e martë, dollari amerikan nga euro ka një diferencë vetëm 0.06 lekë. Që prej fillimit të 2022, monedha europiane ka rënë me thuajse 15 për qind.
Në këtë zhvlerësim historik ka ndikuar frika e një recesioni të gjatë, inflacioni i lartë dhe pasiguria në furnizimet energjetike të shkaktuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ekspertët amerikanë thonë se një sërë rritjesh agresive të normave të interesit nga banka qendrore, përfshirë Rezervën Federale, bashkë me rritjen tepër të ngadaltë ekonomike, do të mbajnë presionin ndaj euro-s duke shtyrë investitorët drejt dollarit amerikan.
Ndërkohë, gjatë të hënës, Komisioni Europian njoftoi se ka ulur sërish parashikimin vjetor për rritjen ekonomike për shkak të sfidave të shumta. Brukseli konfirmoi se kjo është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve në sektorin energjetik dhe përkeqësimin e nivelit të inflacionit. Zyrtarët e BE-së thanë se ngadalësimi ekonomik mund të zgjasë edhe përgjatë vitit të ardhshëm.
Në maj, komisioni uli parashikimin për rritjen vjetore në eurozonë në 2.7 për qind, ndërsa në Shkurt parashikimi ishte për 4 për qind. Ky përditësim vjen kur inflacioni në BE preku nivelin më të lartë në 25 vite në 8.6 për qind në qershor. (A2 Televizion)