Eurobondi në dyshim, Financat nuk gjejnë konsulent për emetimin

Nga A2 CNN
29 Shkurt 2020, 15:23 | Ekonomi
Eurobondi në dyshim, Financat nuk gjejnë konsulent për emetimin

Qeveria nuk ka ende një konsulent që do të udhëheqë Eurobondin e katërt prej 600 milionë eurosh. Megjithatë, edhe pse dy procedurat e tenderimit të hapura për konsulentin kanë dështuar, Ministria e Financave ka nisur kërkimin për bankat menaxhere që do të sigurojnë procesin e emetimit.

Teksa vlerësojnë këtë instrument si të favorshëm për shkak të interesave të ulëta, ekspertët janë skeptikë për rritjen e nivelit të Eurobondit me 100 milionë euro, pasi, sipas tyre, kjo do të ndryshonte strukturën e borxhit të jashtëm.  

“Ndoshta do të ishte më interesante nëse Eurobondi do të mbeste në përmasat ekzistuese. Nëse bëhet fjalë për borxh të ri, le ta marrim nëpërmjet tregut të brendshëm financiar. Kjo do të ndryshojë strukturën e borxhit, duke i dhënë më shumë peshë borxhit të huaj në raport me borxhin e brendshëm”, deklaroi Selami Xhepa, ekspert për ekonominë.

Nëse emetimi i këtij Eurobondi do të rezultonte i suksesshëm, borxhi i huaj në këtë formë do të arrinte në 1,15 miliardë euro. Ndryshe nga herët e kaluara, qeveria synon që të shkojë me një zgjatje të afatit të maturimit 7-10 vjet dhe me interesa poshtë 3%.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos