Eurobondi "përplas" Jorida Tabakun me kryeministrin Rama

Nga A2 CNN
10 Qershor 2020, 17:30 | Politikë
Eurobondi "përplas" Jorida Tabakun me kryeministrin Rama

Një debat virtual është zhvilluar mes ish-deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku me kryeministrin Edi Rama në lidhje me çështjen e Eurobondit.

Ish-ligjvënësja demokrate deklaroi se qeveria vijon të marrë borxhe të cilat nuk do të shkojnë për publikun, por për interesa korruptive të qeverisë. Sipas Tabakut nuk ka borxh të ri që e shpëton këtë qeveri.

“650 milionë euro të tjera, të marra borxh, njësoj si borxhet e mëparshme të kësaj qeverie, do të shkojnë për projektet korruptive të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me interesin publik, por vetëm të 4-5 njerëzve. Ekonomia sot është në prag falimenti, bizneset po mbyllen, njerëzit marrin ushqim me lista, por Edi Rama vazhdon të firmosë koncesione korruptive 2,2 miliardë euro. 650 milionë euro të tjera, të marra borxh, janë vetëm maja e ajsbergut. Një borxh ekstra për veset e vjetra të kryeministrit Rama, pa asnjë shqetësim për hallet e shqiptarëve”, shkruan Tabaku.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për këtë postim të Jorida Tabakut duke thënë se Eurobondi ishte një sukses dhe se gjuha e akuzave dhe fyerjeve nga ana e opozitës nuk është argument.

“Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t'u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda, të cilat prej vitesh janë bërë buka dhe djathi i tregut të politikës. Doni s'doni ju Eurobondi ishte një sukses kuptimplotë, përmbajtja e të cilit është pasqyrë e qartë e zbrazëtisë së propagandës politike-mediatike kundër qeverisë dhe në fakt, kundër vetë Shqipërisë që ju e tregoni përditë si ferrin mbi tokë! Shqipëria dje triumfoi, doni s'doni”, shkruhet në postimin e Ramës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos