Në konferencën për mediat këtë të mërkurë, kryeministri Rama u pyet nga gazetarët edhe për marrëveshjen e arritur për reformën zgjedhore. Kryeministri u shpreh se nuk ka asnjë reformim të sistemit, por ai thotë se synimi ishte të ishin të gjithë të bashkuar.
“Nuk ka 15 kushte për të shkuar në konferencën e parë ndërqeveritare. E di që situata nuk është e qetë. Ne kemi dakordësuar një marrëveshje dhe duhet që ajo marrëveshje të mos lëvizë. E vetmja kënaqësi që kam marrë nga ajo marrëveshje është kënaqësia e Lulit. E rëndësishme është që u kënaq Luli. Nuk reformon asgjë në sistem sa i përket administrimit. Synimi ishte të bashkoheshim me të gjithë botën për ta lehtësuar Bashën nga frika e tmerrshme e zgjedhjeve dhe për t’i thënë si e do ti. Unë e di që do të kemi sërish llafe, pasi ne do të fitojmë dhe ata do të humbasin. Ne e bëmë këtë për një mesazh paqeje. Unë e di që shumë njerëz do të donin që ne të vazhdonim në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të vazhdonin rrugën tonë, por edhe ata duhet ta kuptojnë se ishte e nevojshme për të ndryshuar klimën. Dhe për të hequr çdo mundësi për t’u gjetur sebepe, ne dhamë dakordësi. Është një dakordësi që duhet të kalojë në parlament. Ne i qëndrojmë marrëveshjes dhe duam ta votojmë dhe nëse ka hapësira të tjera për të respektuar edhe dëgjuar edhe opozitarët në parlament, që në këtë rast votojnë një ligj që lidhet me të nesërmen e tyre. Do të shikojmë, do të jemi konstruktiv. Besoj se është e mirë që të gjithë ne të kalojmë në një status tjetër maturimi”, u shpreh Rama.
Tashmë marrëveshja do të kalojë në parlament, ku një pjesë e opozitës parlamentare është shprehur se nuk do ta votojë. Rama u shpreh se procesi do të shkojë përpara, ndërsa theksoi se nuk duhet harruar se deputetët e opozitës parlamentare kanë qenë në listat e PD apo LSI-së.
“Aman, kur flisni për deputetët që janë në parlament, mos harroni që në radhë të parë, ata janë deputetët e Bashës dhe Kryemadhit. Kush i shesh si persona që janë shfaqur nga rrugë të tjera apo nga materniteti i Ballës, thjesht harron historinë e shkurtër. Kur flasim për listat e hapura, shumica e shqiptarëve besojnë se listat e hapura janë një instrument çudibërës për të rritur demokracinë, por nëse listat do të ishin të hapura, ata deputetë që janë aty sot ishin pjesë e listës. Gjuzi apo Ngjala, ky apo ajo. Sidoqoftë, ne jemi këtu me përgjegjësinë për ta çuar përpara këtë proces”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)