Kryeministri Edi Rama deklaroi në një konferencë për shtyp se lajmi për eurobondin nuk ka marrë vëmëndjen e duhur, në një kohë që është një lajm i jashtëzakonshëm për vendin tonë.
“Më vjen keq që ky lajm i jashtëzakonshëm nuk ka marrë vendin e duhur, por më vjen edhe më keq që opozita ka vazhduar avazin që në këtë rast nuk shkon fare, pasi bëhet fjalë për popullin shqiptar. Më vjen keq që flitet në mënyrë të ngjashme si fluturimi i balonave tabake pa bisht. PD-ja thotë se duhet të hidhërohemi që morëm borxh, jo të gëzohemi. Ne morëm konfirmim nga tregjet dhe kjo na jep mundësi që të zgjerojmë bazën tonë të financimit të ekonomisë dhe investimeve. Është bazë që konsolidon planin tonë kombëtar “Shqipëria 2030”, deklaroi Rama.
"Kur vendi del në tregjet e kapitaleve është në një proces të hapur, ku synimet jo gjithmonë përputhen me kërkesën e tregjeve. Atyre që thonë "hë mo, se borxh morët", ju kujtoj që çdo njeri që hyn në një sistem bankar nuk mjafton të duash të marrësh borxh, por duhet të gjesh dhe ata që të japin borxh dhe duhet të kenë besim. Është vlerësim për librin e llogarive të vendit”, deklaroi kryeministri Edi Rama. (A2 Televizion)