
Parlamenti Europian i kërkon Unionit që të përgatisë një kundërpërgjigje në rast të një sulmi bërthamor nga Rusia. Kështu shkruhet në një rezolutë për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, të aprovuar me 504 vota pro, 26 kundër dhe 36 abstenim.
Në dokument, thuhet ndër të tjera, se BE-ja duhet të rrisë ndjeshëm asistencën ushtarake për Ukrainën, të dënojë referendumet farsë dhe kërcënimet bërthamore të Putinit.
Ndërsa kërkesat janë dhe ngritja e një gjykate ndërkombëtare për krimet kundër Ukrainës. Ndërkohë, Rusia po tenton të ulë tonet dhe pretendon se është e angazhuar plotësisht për të shmangur një luftë bërthamore.
“Ne nuk kemi ndërmend të luajmë një rol në këtë diskurs të tmerrshëm të krijuar për të nxitur retorikën bërthamore, duke e ngritur atë çdo herë. Janë strukturat dhe vendet me qendër NATO-n dhe ata që u shërbejnë interesave të tyre në fushën e informacionit që po e bëjnë këtë”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
“Federata Ruse është plotësisht e përkushtuar ndaj parimit të papranueshmërisë së luftës bërthamore. Ne e kemi thënë vazhdimisht dhe e kemi përsëritur këtë: nuk mund të ketë fitues në një luftë të tillë. Ajo nuk duhet të ndodhë kurrë. Unë nuk do të lexoj përsëri me zë të lartë dokumentin e doktrinës sepse qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar aspak”. (A2 Televizion)