
Ecurinë mbresëlënëse në kampionatin italian, Milani do të kërkojë ta reflektojë edhe sot teksa nis aventurën në Europa Leagu.
Kuqezinjtë e Stefano Piolit kanë një transfertë të vështirë në Skoci përballë Celtic. Formacioni fitues në derbi do të ketë pak ndryshime. Mesfushori Calhanoglu nuk do të jetë i disponueshëm këtë ndeshje, i dëmtuar pak ditë më parë në stërvitje.
Italianët do të kërkojnë të shfrytëzojnë moralin ndoshta jo optimal të Celtic që vjen nga humbja me kryesuesit e kampionatit, Rangers.
Napoli pret mes ankthit holandezët e Alkmaar. Këta të fundit kanë udhëtuar në Itali me vetëm 17 futbollistë pasi 13 të tjerë janë infektuar nga koronavirusi, megjithatë kanë zbatuar rregulloren e përcaktuar nga UEFA. Roma e mbrojtësit shqiptar Marash Kumbulla, ndeshet në Zvicër, me Young Boys, klubin që për të arritur në këtë përballje, iu desh të eliminonte skuadrën shqiptare të Tiranës. Futbollisti shqiptar pritet të jetë titullar, sipas asaj që raportojnë mediat në Itali.
Klubet pretendente angleze do të kenë përballje relativisht të kalueshme. Arsenal dhe Tottenham kanë përballë dy skuadra austriake si e Rapidin e Vjenës dhe Lask Linz, ndërsa Leicester ndeshet në Angli me ukrainasit e Zorya Luhansk. (A2 Televizion)