
Derbi i parë historik për femra. Tirana dhe Partizani, dy ekipet e sapoformuara zgjodhën jo rastësisht që ndeshjen e parë ta luajnë në Ditën Kombëtare të Depistimit për Kancerin e Gjirit.
Trajneri i Tiranës, Edmond Ruço, u shpreh: “Më tepër do ta quaja sinjifikativ këtë derbi sepse është një miqësore për t'iu bashkuar ditës së grave, të nënave e motrave tona. Por, fanella e Tiranës është shumë e rëndë dhe shumë vajza e pretendojnë ta veshin, siç ndodh edhe te ekipi i djemve”.
Ndërsa trajnerja e Partizanit, Berta Lako, deklaroi: “Fakti që jemi një skuadër e re, e kemi pasur të vështirë t’i afrojmë vajzat. Por, jemi të kënaqur dhe për emrin që mban Partizani këto vajza erdhën me shumë dëshirë për të luajtur dhe për të treguar veten e tyre”.
Derbi ishte testi i parë për dy skuadrat që do të marrin pjesë në kampionatin kombëtar të femrave për këtë sezon, ndërsa nga edicioni tjetër, çdo ekip i elitës do të jetë i detyruar që të ketë edhe ekipin e femrave.
Florian Riza sqaron: “Dua t’i falënderoj klubet e Tiranës dhe Partizanit për formimin e ekipit të femrave dhe për angazhimin e tyre në Ditën e Parandalimit të Kancerit të Gjirit. Kush më mirë se këto skuadra mund ta bënte një ndërgjegjësim të tillë në rang kombëtar. Për këtë sezon kemi gjashtë skuadra femrash nga klubet e Superiores, Vllaznia, Apolonia, Teuta, të cilave u janë bashkuar Tirana, Partizani dhe Skënderbeu. Ky sezon është opsional, por prej sezonit 2021-2022 mendojmë që të gjitha ekipet e elitës t’i bashkohen kampionatit të femrave”.
Derbi historik për femra u fitua nga Tirana me rezultatin 2-0. (A2 Televizion)