
Nuk ka surpriza të mëdha në natën e parafundit të grupeve të Europa League. Në stadiumin "Olimpico", Roma fiton 3-1 sfidën për kreun e grupit A me Young Boys, duke garantuar vendin e parë. Fillimisht në dizavantazh, kryeqytetasit italianë përmbysën sfidën me golat e Borja Mayoral, Dzeko dhe të riut Calafiori, ndërkohë që zviceranëve i duhet ende një rezultat pozitiv në ndeshjen e fundit.
Në grupin F, ndoshta më i luftuari, dy barazime lënë praktikisht verdiktin për turnin e fundit. Napoli dhe AZ barazojnë 1-1, ku holandezët gabojnë edhe një penallti, ndërkohë që kroatët e Rijekës ndalojnë Real Sociedadin që kryeson La Liga në rezultatin 2-2, me spanjollët që do të sfidojnë Napolin për një vend në fazën tjetër, ndërkohë që AZ luan me kroatët e eliminuar.
Në Grupin E, fitorja e PSV ndaj Granadës i garanton kualifikimin bashkë me spanjollët, ndërkohë që në grupin J Tottenham barazon 3-3 me LASK-un austriak dhe kualifikohet, ndërkohë që belgët e Antwerp kryesojnë grupin. (A2 Televizion)