Eurosocialistët: Teatri Kombëtar të mos përdoret për qëllime politike

Nga A2 CNN
19 Maj 2020, 15:18 | Aktualitet
Eurosocialistët: Teatri Kombëtar të mos përdoret për

Partitë Europiane Socialiste publikuan një deklaratë ku shprehen se po ndjekin nga afër dhe me shqetësim zhvillimet në Tiranë, në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.

“Vendimi mbi fatin e kësaj ndërtese problematike ka qenë në duart e qeverive të Shqipërisë nga të gjitha përkatësitë politike për 22 vitet e fundit. Qeveria e tanishme socialiste e Edi Ramës ka marrë përgjegjësi dhe ka vepruar”, thuhet në deklaratën e Eurosocialistëve.

“Grupi i Partive Europiane socialiste është informuar se godina konsiderohej e rrezikshme nga ekspertët e sigurisë. Planet për ndërtimin e një teatri të ri dhe modern janë vënë në lëvizje, duke ndjekur disa konsultime publike dhe transparente”.

Presidenti i grupit eurosocialist, Sergei Stanishev tha: “Përdorimi i situatës rreth godinës së Teatrit Kombëtar, një pronë e Bashkisë së Tiranës, për të përhapur ndarje dhe kundërshti mes qytetarëve shqiptarë është thellësisht shqetësuese. Së fundmi Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në rrugën e saj drejt integrimit europian, të cilën ne e mbështesim plotësisht. Përpjekjet e disa forcave politike për të shfrytëzuar këtë rast dhe për të inkurajuar përshkallëzimin e tensioneve nuk do t’i bëjnë mirë as artistëve në Shqipëri, dhe as qytetarëve”.

Në respekt të së drejtës së qytetarëve për të protestuar, Partitë Europiane Socialiste bëjnë thirrje për një mbyllje demokratike dhe paqësore të krizës së Teatrit Kombëtar dhe kundërshtojnë nxitjet për të pushtuar pronën publike dhe sabotimin e punëve publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos