“Everything Everywhere All At Once” drejt çmimit Oscar

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2023, 08:16 | Showbiz

"Everything Everywhere All at Once" duket se po shtron rrugën e sigurt drejt triumfit edhe në çmimet Oscar, pasi rrëmbeu edhe 4 çmime të tjera në ceremoninë e çmimeve më prestigjioze të ekranit amerikan, çmimet SAG. Aventura e Multiversity, fitoi çmimin e filmit më të mirë, në ceremoninë që u mbajt në Los Angelos, ndërsa yjet e filmit u vlerësuan po ashtu me çmime. Michelle Yeoh u nderua me çmimin e aktores më të mirë femër, duke mposhtur rivalen e saj kryesore, Cate Blanchett.

“Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për çdo vajzë të vogël që duket si unë”, tha Yeoh në fjalimin e saj.

Ylli tjetër i filmit, Ke Huy Quan u bë aktori i parë aziatik që fiton një çmim si aktori më i mirë, joprotagonist, ndërsa aktorja më e mirë femër, për një rol joprotagonist, u shpall Jamie Lee Curtis. Këto çmime, konsiderohen si shumë të rëndësishme, përpara mbrëmjes së 12 marsit, kur në Los Angelos, yjet botërore do të mblidhen për ceremoninë e çmimeve Oskar.

Dhe 4 çmimet SAG për "Everything Everywhere All at Once" duket se janë sinjali, se filmi i regjisorëve Daniel Kwan e Daniel Scheinert, me buxhet prodhimi 25 milionë dollarë, do të triumfojë këtë vit. Në çmimet SAG, Brendan Fraser u shpall aktori më i mirë mashkull, për rolin në filmin “The Whale”.

Fituesit e çmimeve SAG, votohen mes njëri-tjetrit, pra aktorët votohen nga kolegët e tyre aktorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos