Falja e Fitër Bajramit. Besimtarët në sheshin “Skënderbej”, lutje për shëndet e begati

Nga A2 CNN
13 Maj 2021, 16:43 | Aktualitet
Falja e Fitër Bajramit. Besimtarët në sheshin

Nga të katër anët e sheshit “Skënderbej”, rrugicat ishin të tejmbushura me besimtarë. Ata vinin në këmbë drejt qendrës, aty ku u mbajt edhe falja e madhe.

Fitër Bajrami, për besimtarët, është ngjarja më e rendësishme pas 30 ditëve sakrificë gjatë muajit të agjërimit. Në shesh ka edhe besimtarë që e kanë vitin e parë të faljes së Namazit të Bajramit.

Besimin në Zot, shumica e besimtarëve thonë se e kanë predikuar e trashëguar ndër vite. Për ta feja është shërimi i shpirtit dhe mirësi ndaj të tjerëve. Luten të kenë shëndet e begati, si dhe të shohin një Shqipëri më të mirë.

Në mesin e mijëra besimtarëve, i lartë është edhe numri i nevojtarëve. Lypin pak lëmoshë, si të vetmen mundësi për të mbajtur familjen. Lutjet në vitin e dytë pandemik shkojnë për të sëmurët, ata që humbën jetën nga virusi si dhe për shëndetin e begatinë në familjet shqiptare.

Pas faljes së Namazit të Bajramit, një 40-vjeçar hyri mes turmës së besimtarëve me një libër Kurani në duar dhe tentoi të dëmtojë veten me lëndë djegëse. Fatmirësisht nuk arriti të çojë deri në fund aktin e tij.

Ngjarjen, Komuniteti Mysliman e cilësoi si veprim i një personi me probleme në shëndetin mendor.

Pas faljes së Fitër Bajramit, besimtarët shtrojnë dreka familjare si dhe tryeza në qendrat sociale për besimtarët në nevojë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos