
Autoriteti i Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit ka nisur hetimin administrativ për zbulimin e vendvarrimeve të fshehta për qartësimin e fatit të 44 të zhdukurve në burgun e Spaçit. Në një njoftim për mediat, Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, bëri të ditur bashkëpunimin me organet e pushtetit lokal për ruajtjen nga tjetërsimi, si dhe bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për rikuperimin e eshtrave të personave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit.
Grupi i specialistëve të Autoritetit, në bashkëpunim me institucionet vendore punuan për mbledhjen e fakteve paraprake, dëshmive dhe të dhënave rreth burgut të Spaçit, me qëllim hedhjen dritë mbi pasojat që ka sjellë shfrytëzimi i punës dhe dhuna ndaj të dënuarve në Kampin e Punës së Detyruar – Spaç.
Kjo nismë u ndërmor në përkujtim të 50-vjetorit të revoltës së të burgosurve në Spaç, “gjatë së cilës lindi si nevojë hetimi i thelluar mbi ngjarjen, arsyet që sollën zhvillimin e saj dhe pasojat”, thuhet në njoftim.
“Nisur nga analiza e dokumentacionit arkivor të ish-Sigurimit të Shtetit dhe dokumenteve të tjera zyrtare mbi punën e detyruar, impaktin e saj në ekonominë e vendit, dëshmitë gojore autentike të ish-të burgosurve politikë në këtë kamp, si dhe nga komunikimi me institucionet lokale, Autoriteti ndërtoi narrativën mbi ngjarjen dhe historinë e burgut-kamp të Spaçit, ku mes të tjerash lindi nevoja e verifikimit të dyshimeve, të raportuara, për vendvarrimet e fshehta dhe qartësimit të fatit të personave që kanë humbur jetën në këtë burg, si rezultat i ekzekutimeve, vrasjeve apo edhe vdekjeve të të burgosurve gjatë vuajtjes së dënimit”, bëhet me dije në njoftim.
“Nga kërkimet e bëra në dokumentet që gjenden në Autoritet, apo në institucione të tjera, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë 44 ish të dënuar, që janë ekzekutuar, vrarë ose kanë vdekur nga mundimi dhe sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, aksidentet në punë apo në tentativë arratisje”, njofton Autoriteti i Dosjeve.
Sipas hetimeve paraprake të grupit të punës janë siguruar fakte të tilla si: Personat që ekzekutoheshin, apo vdisnin gjatë vuajtjes së dënimit varroseshin nga personeli i burgut në vende jashtë territorit të burgut, duke u pamundësuar të afërmve të tyre në çdo rast që të marrin trupin; vendet që kanë shërbyer si vendvarrime për të burgosurit që kanë humbur jetën në Spaç, dyshohet se gjenden pranë varrezave të fshatit Shpal, në fshatin Gëziq, Kodër Spaç, rreth 1 km në jugperëndim të Burgut të Spaçit; si dhe në disa raste ekzekutimet janë kryer në vende, ku si kriter i vetëm ishte largësia nga zonat e banuara.
Autoriteti sqaron se, është në pritje të miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuar”. Autoriteti po merr masat paraprake dhe do të ndërveprojë me pushtetin vendor Mirditë, duke siguruar mbrojtjen e vendvarrimeve të identifikuara apo dyshuara, duke siguruar në çdo rast ruajtjen e integritetit të vendit të ngjarjes dhe mbetjeve mortore.
Autoriteti siguron publikun se rezultatet e këtij hetimi do të bëhen transparente dhe me punën e tij të thelluar, në bashkëpunim me institucione përgjegjëse, do të bëjë ç‘është e mundur që plaga e pambyllur e familjeve, të cilat janë në kërkim të qartësimit të fatit të familjarit të tyre, vrarë pa gjyq apo ekzekutuar në kushte jo njerëzore, të mbyllet me gjetjen e tyre dhe nderimin që u takon, pranë familjeve. (A2 Televizion)