
Procesi zgjedhor i 14 majit riktheu në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore debatin ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Shkak për këtë ishte rendi i ditës ku Ulsi Manja ishte ftuar të raportonte për rekomandimet që qeveria i kishte dhënë prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit.
Oerd Bylykbashi e konsideroi raportin të pamjaftueshëm sa kohë krimet zgjedhore nuk janë adresuar.
“Shitblerja e votës me 10-tra milionë euro nëpër qarqe të veçanta, dhe aq mëkeq akoma, blerja e të drejtën për të votuar, ku e keni hetimin e kësaj nga prokuroria?”, u shpreh Bylykbashi.
“Në dijeninë time, agjencitë ligjzbatuese, aty ku ka patur raste, dhe ka patur flagrancë ka vepruar me korrektësi. Tashti se përse nuk ju vjen përshtat rezultati në 14 maj, bëni analizën tek vetja”, iu përgjigj Manja.
“Këtu ke 16 faqe, gjysmë dege peme të çuar dëm me fjalë të cilat nuk i thonë asgjë shqiptarëve”, shtoi Bylykbashi.
“Sigurisht që humbja ka shije të hidhur por duhet të përballohet me dinjitet”, tha Manja.
Opozita akuzoi maxhorancën se në zgjedhje angazhon struktura të krimit të organizuar, që tashmë sipas tyre, janë në nivelin e mafias ndërkombëtare.
“Tashmë janë aq të strukturuara sa po konkurrojnë me sukses mafiet historike. Këta jo vetëm janë sot rrotull në lëvizje, por janë aq aktiv në periudha zgjedhore, të cilat kanë qenë aktiv nën ombrellën e shtetit. Si është kjo ombrellë? Mbyll sytë, lerë ta bëj”, theksoi Bylykbashi.
“Në periudhën post zgjedhore, jam i bindur që edhe kolegia ime e nderuare Bujqësisë po të vij të raportoj në Komisioni ne Ligjeve, nuk pres që këtu të mos ngrihet çështja e krimit zgjedhor”, vijoi Manja.
Ministri i Drejtësisë u pyet edhe për një amnisti të mundshme penale ku u shpreh se një akt i tillë është i dëshiruar nga ekzekutivi, por kërkon konsensus në parlament. (A2 Televizion)